October 1, 2023

Rritja e numrit të emigrantëve që po kalojnë nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për të kërkuar azil në BE, ka sjellë vendosjen në tavolinën e bisedimeve të propozimit për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.

Së fundmi lidhur me këtë lajm një reagim ka ardhur nga Ministria e Jashtme shqiptare, duke theksuar se vendosja e vizave për shqiptarët nuk është e vërtetë.

Ministria e Jashtme shqiptare sqaron se nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë.

“Ne garantojmë qytetarët shqiptarë se ata nuk rrezikohen aspak dhe në asnjë moment nga e drejta për të lëvizur pa viza në hapësirën e BE”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Në vijim theksohet se ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa me parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *