Ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar për herë të parë në lidhje me shkarkimin nga posti. Në përfundim të seancës plenare ku u votua shkarkimi i saj, Kushi falënderon të gjithë bashkëpunëtorët e saj gjatë drejtimit të Ministrisë së Arsimit. Kushi falënderon kryeministrin Rama që i besoi detyrën e rëndësishme dhe uron ministren Manastirliu për marrjen e drejtimit të Ministrisë së Arsimit.

“Të shërbeja si Ministre e Arsimit dhe Sportit për vendin tim ka qenë nderi më i madh në jetën time, për të cilin kam punuar çdo ditë me mendje e zemër, me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë, për ta përmbushur me sukses e për të bërë më të mirën në çdo hap.

Dua të falënderoj thellësisht të gjithë ata që i kisha në krah përgjatë këtij rrugëtimi, mësues, pedagogë e kolegë në ministri, me të cilët kemi kapërcyer shumë sfida të vështira në këto tre vite, veçanërisht pasojat e tërmetit dhe pandemisë. Mirënjohje pa fund për Kryeministrin Edi Rama që më dha besim dhe mbështetje të pakursyer për ta përmbushur me sukses këtë mision të lartë!”, shkruan nder te tjera Kushi.