Prej 1 dhjetorit, bashkë me pensionin, të moshuarit do të kenë mundësi të marrin edhe bonusin në vlerën e 5 mijë lëkeve. Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado gjate nje interviste u ndal edhe tek kategoritë që do të përfitojnë.

Për vitin e ardhshëm, janë rreth 42 milionë dollarë të cilat do të shkojnë për indeksimin e pensioneve. Kujtojmë që reforma e ndërmarrë në 2015 nuk përcakton rritje por vetëm indeksim bazuar në normën e inflacionit. Pas pothuajse 9 vitesh, Qeveria po shikon mundësinë e ndërhyrjes në skemë. Në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar janë duke u analizuar të dhënat e deritanishme për të korrektuar aspekte të cilat nuk janë parashikuar në fazën e parë, apo që nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.

I pyetur nëse po shihet mundësia e rishikimit të masës së përfitimit për pensionistët, kreu i ISSH-së Hado tha se mënyra sesi do të përcaktohet indeksimi do të varet nga të dhënat që do te gjenerojë studimi, i cili pritet të përfundoj brenda këtij viti, pa zbuluar më tepër detaje. Megjithatë, në asnjë rast, vendimmarrja nuk do të ketë fuqi prapavepruese, ç’ka do të thotë se prej saj nuk do të përfitojnë pensionistët aktualë.

Hado u ndal edhe tek njohja e viteve kontributive. Me anë të një vendimi, u krijua mundësia që për 84 ndërmarrje dhe ish-kooperativa të kohës në të cilat mungon dokumentacioni, vitet e punës do të njiheshin automatikisht pa qenë nevoja që qytetarët t’u drejtoheshin gjykatave. Kreu i ISSH bëri me dije se lehtësi ka edhe për ato qytetarë të cilët kanë punuar në ndërmarrje të cilat janë djegur.

Problem mbetet masa kontributive e cila paguhet nga të vetëpunësuarit në bujqësi. Këta të fundit, vuri në dukje Hado, paguajnë shumë herë më pak në raport me të vetëpunësuarit në qytetet, por masa e përfitimit është e njejtë, pasi mbulohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Pavarësisht skemave lehtësuese të aplikuara vit pas viti, numri i fermerëve që sigurohen vijon të jetë në nivele thuajse minimale.

Në reformën e miratuar në 2015 përcaktohej që në vitet pasuese të miratohej një unifikim i vlerës kontributive, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur për shkak edhe të pamundësisë financiare të fermerëve.

Ada Hazizolli/SCAN